Milot Avdyli transferohet në Premier Ligën e Ukrainës

Milot Avdyli transferohet në Premier Ligën e Ukrainës

Sulmuesi Milot Avdyli është përshëndetur me klubin e tij të deritashëm, FC Aarau i Zvicrës, për të kaluar te klubi i Premier Ligës ukrainase, FK Vorskla Poltava.

Kosovari 22-vjeç, rreth katër vjet më parë kaloi nga klubi i vendlindjes së tij, KF Trepça 89 në Brügglifeld duke u bërë kështu një prej lojtarëve që qëndroi më së gjati në klub nën drejtimin e trajnerit Brunello Iacopetta.

Në përgjithësi, Avdyli – i cili rishtazi u emërua si kapiten i Kosovës U21 – luajti 109 ndeshje. Shënoi shtatë gola dhe asistoi 10 herë në fanellën e FCA.

“Vendimi është mirëpritur nga të gjitha palët. Në njërën anë, Miloti – edhe pse i pëlqen shumë në Aarau – na e shfaqi dëshirën e tij që të kalojë në një fazë tjetër të karrierës së tij. Në anën tjetër, edhe oferta ishte atraktive për klubin duke qenë se atij po i skadonte kontrata, prandaj u pajtuam për këtë transferim”, tha Elsad Zverotic, drejtor sportiv i klubit.

Në FC Aarau, Avdyli kishte kontratë deri më 30 qershor, 2025. Palët kontraktuese u pajtuan që të mos zbulojnë modalitetet e transferit.

Klubi i deritashëm e ka falënderuar Milotin për përkushtimin e tij dhe i ka dëshiruar gjitha të mirat për të ardhmen. /Klankosova.tv