Mexhiti në Gostivar: Strukturat tona janë të organizuara dhe të gatshme për fitore të reja

Mexhiti në Gostivar: Strukturat tona janë të organizuara dhe të gatshme për fitore të reja

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, i cili aktualisht është edhe zëvendëskryeministër i parë të Maqedonisë së Veriut, ka mbajtur takim me strukturat në Gostivar, ku ka riafirmuar fuqinë e madhe që VLEN ka ndërtuar në këtë qytet dhe më gjerë.

“Gostivari është sot një ndër shtyllat më të forta të projektit tonë politik, dhe fuqizimi ynë po rritet çdo ditë. Strukturat tona janë të organizuara, të motivuara dhe të gatshme për fitore të reja. Qeveria e re, ku jemi pjesë, ka dhënë rezultatet e para shumë shpejt dhe me sukses të madh. Besimi dhe mbështetja qytetare po rriten, dhe kjo do të konfirmohet edhe më fuqishëm në zgjedhjet lokale që na presin”, ka thënë ai.

Në këtë takim, Mexhiti ka theksuar se Qeveria e re për vetëm 7-8 muaj ka bërë më shumë për shqiptarët sesa BDI në 20 vjet qeverisje.

“Ne realizuam një ndryshim historik: bashkuam opozitën, sollëm frymën e re dhe dërguam në opozitë një subjekt që kishte uzurpuar skenën politike për dy dekada”.

“Për ne, rrëzimi i BDI-së nuk ishte qëllimi final. Objektivi ynë i vërtetë ka qenë ndërtimi i një alternative të fortë për shqiptarët, dhe për këtë arsye së shpejti VLEN do të konstituohet si një subjekt i vetëm politik, duke lënë pas format e përkohshme të bashkëpunimit”.

“Në fjalën time, u ndala edhe te disa qëndrime të papranueshme politike, duke theksuar se nuk mund të jesh njëkohësisht pozitë dhe opozitë. Të gjithë partnerët qeveritarë tashmë e kanë kuptuar këtë. Dera jonë mbetet e hapur për të gjithë anëtarët e sinqertë që duan ndryshim të vërtetë”, ka theksuar ai.

Duke komentuar zhvillimet te BDI-ja, Mexhiti ka thënë se Ali Ahmeti, në përpjekje të dëshpëruara, po lidh koalicione me këdo që i del përpara. “Por qytetarët i kanë dhënë tashmë një përgjigje në zgjedhjet parlamentare dhe do t’ia japin edhe më fuqishëm në zgjedhjet lokale”.

“Takimi në Gostivar ishte një konfirmim i fuqisë dhe vendosmërisë sonë për të ndërtuar një përfaqësim të ri, dinjitoz dhe vizionar për shqiptarët”.