Mexhiti: Kërçova e harruar nga pushtetet e kaluara, tashmë e ka respektin e merituar

Mexhiti: Kërçova e harruar nga pushtetet e kaluara, tashmë e ka respektin e merituar

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka theksuar se Kërçova e harruar nga pushtetet e kaluara, tashmë e ka respektin e merituar, që dikur i ka munguar shumë.

“E fillojmë me një projekt në vlerë totale prej 1 miliard denarësh! Kërçova më në fund po bëhet me një sistem kolektori dhe impiant trajtimi modern, që do të përmirësojë kushtet e jetës për qytetarët”.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur e krenar që parandaluam dështimin e këtij projekti, pasi e gjetëm në një gjendje kaosi dhe ngecjeje totale – fonde IPA të humbura, vetëm 17 për qind zbatim në 21 muaj, një kontraktor jofunksional dhe heshtje institucionale nga qeveria e mëparshme”, ka shkruar Mexhiti në Facebook.

Ai ka thënë se qytetarët e Kërçovës meritojnë infrastrukturë të re që mbron si shëndetin, ashtu edhe mjedisin e përbashkët.

“Me ndërhyrjen time të drejtpërdrejtë dhe punën e palodhur të kolegëve të mi në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ne e ndërpremë kontratën e dështuar, kërkuam dëmshpërblim dhe nëpërmjet një prokurimi të ri publik shumëvjeçar, siguruam mbi 1 miliard denarë nga buxheti i shtetit për të vazhduar me projektin!”.

“Kur të tjerët dorëzohen, ne vazhdojmë ta shtyjmë ndryshimin përpara! Dhe ne nuk do të ndalemi! Sepse dorëzimi nuk është alternativë. E ardhmja e qytetarëve është ideal i panegociueshëm”, ka shkruar Mexhiti.