Meta’ do të zgjerojë lirinë e shprehjes në platformat e saj
Shefi ekzekutiv i kompanisë ‘Meta’ njoftoi se do të ketë një gamë më të gjerë të lirisë së fjalës në Facebook dhe platforma e saj të tjera në internet.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Michelle Quinn, vendimi i kompanisë Meta pason kritikat e vazhdueshme të presidentit të zgjedhur Donald Trump për kufizim të lirisë së shprehjes ndaj grupeve konsorvatore.
‘Meta’ është një nga kompanitë teknologjike që është kritikuar në mënyrë më të ashpër nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump, duke përfshirë platformat e saj Facebook dhe Instagram.
Që nga përfundimi i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, kompania Meta ka punuar për të përmirësuar marrëdhëniet e saj me zotin Trump ndërsa ai përgatitet të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Kompania ka kontribuuar një milion dollarë për fondin e inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Trump.
Këtë javë, drejtuesi i kompanisë ‘Meta’, Mark Zuckerberg njoftoi ndryshimet, që sipas tij, do të sigurojnë një gamë më të gjerë të lirisë së fjalës në Facebook dhe platformat e tjera. Presidenti i zgjedhur Donald Trump dhe udhëheqës të tjerë konservatorë kanë akuzuar prej kohësh Facebook-un për censurë.
“Është koha për t’u kthyer në rrënjët tona kur bëhet fjalë për lirinë e shprehjes në Facebook dhe Instagram”, tha ai.