Ish-ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka deklaruar se Kosova është e përgatitur për t’u përballur me kërcënimet e mundshme, duke theksuar rëndësinë e paqes, sigurisë dhe integrimit euroatlantik të rajonit.
Mehaj ka thënë se fokusi duhet të jetë te perspektiva evropiane dhe anëtarësimi në NATO, si rrugë për garantimin e stabilitetit dhe zhvillimit.
“Është koha e Evropës dhe e NATO-s për të gjithë ata që ia duan të mirën rajonit tonë. Këtu duhet të jetë fokusi ynë: te paqja, siguria, zhvillimi dhe e ardhmja euroatlantike”, ka deklaruar Mehaj.
Duke iu referuar kërcënimeve të mundshme nga Serbia dhe individë të caktuar, ish-ministri ka theksuar se Kosova është përgatitur edhe për skenarë të ndryshëm të sigurisë.
“Jemi të përgatitur si për paqe, ashtu edhe për luftë. Fatmirësisht, sot nuk jemi më aty ku ishim dikur. Kemi kapacitete mbrojtëse, armatim për mbi 500 mijë shqiptarë të gatshëm për ta mbrojtur vendin dhe popullin e tyre”, është shprehur ai.
Mehaj ka theksuar se shqiptarët nuk duhet të gjenden më në situata ku nuk kanë mundësi dhe mjete për ta mbrojtur veten.
“Kurrë më nuk do të lejojmë që shqiptarët të vriten me plumb në kokë, pa pasur mundësinë dhe mjetet për ta mbrojtur veten!”, ka shkruar Mehaj.
Në fund, ai ka ritheksuar se synimi mbetet paqja, por një paqe e shoqëruar me dinjitet, siguri dhe kapacitete për mbrojtjen e lirisë.
“Ne duam paqe, por paqe me dinjitet, siguri dhe aftësi për ta mbrojtur lirinë tonë”, ka përfunduar Mehaj.
Postimi i plotë në Facebook:
Është koha e Evropës dhe e NATO-s për të gjithë ata që ia duan të mirën rajonit tonë. Këtu duhet të jetë fokusi ynë: te paqja, siguria, zhvillimi dhe e ardhmja euroatlantike. Sa u përket kërcënimeve nga Serbia apo individë të caktuar, edhe për këtë kemi menduar me kohë. Jemi të përgatitur si për paqe, ashtu edhe për luftë. Fatmirësisht, sot nuk jemi më aty ku ishim dikur. Kemi kapacitete mbrojtëse, armatim per mbi 500 mijë shqiptarë të gatshëm për ta mbrojtur vendin dhe popullin e tyre.
Kurrë më nuk do të lejojmë që shqiptarët të vriten me plumb në kokë, pa pasur mundësinë dhe mjetet për ta mbrojtur veten!
Ne duam paqe, por paqe me dinjitet, siguri dhe aftësi për ta mbrojtur lirinë tonë.

