Mediat turke: Rey Manaj drejt qëndrimit te Sivasspor

Mediat turke: Rey Manaj drejt qëndrimit te Sivasspor

E ardhmja e Rey Manaj, duket se më në fund po merr formën e duhur. Pas shumë javësh kur situata e të ardhmes së sulmuesit shqiptar ishte e turbullt, më në fund janë vetë mediat në Turqi që japin detaje interesante mbi skuadrën ku do të vijojë karrierën e tij sulmuesi i kombëtares tonë.

“Manaj ka njoftuar drejtuesit e klubit se është i lumtur në Turqi dhe Sivaspor dhe ka vendosur të mos transferohet në një klub tjetër të paktën këtë sezon”, shkruan gazeta turke.

Interesimi për Manajn ishte i madh pas paraqitjeve të mira me fanellën e Sivasporit, ku shënoi 22 gola në 39 ndeshje. Sulmuesi lushnjar, iu bashkua Sivasporit në gusht të vitit të kaluar. Ai ka kontratë me klubin turk deri në vitin 2026.

Në këtë mënyrë në mungesë të ndonjë oferte serioze nga ndonjë klub i rëndësishëm në këto ditë të fundit të merkatos, Rey Manaj do të vazhdojë të luajë për klubin e tij Sivasspor, aty ku është kthyer edhe në një idhull të tifozerisë. Këtë sezon deri më tani, lushnjari ende nuk ka realizuar, me Sivasspor që pas tre ndeshjesh ka grumbulluar 4 pikë, me 1 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje.