Mediat: Gjykata e Lartë e SHBA mund të konfirmojë ligjin që ndalon TikTok-un nga data 19 janar

Mediat: Gjykata e Lartë e SHBA mund të konfirmojë ligjin që ndalon TikTok-un nga data 19 janar

Gjykata e Lartë e SHBA duket e vendosur të mbështesë ligjin e miratuar vitin e kaluar nga Kongresi për të ndaluar TikTok në vend, përveç nëse kompania kineze ByteDance pranon të heqë dorë nga kontrolli i platformës.

Kështu shkruan portali informativ “Axios” pasi gjyqtarët dëgjuan sot argumentet e përfaqësuesve të TikTok dhe qeverisë federale në lidhje me ligjin, i cili nëse konfirmohet do të ndalojë platformën në Shtetet e Bashkuara duke filluar nga e diela e ardhshme, 19 janar.

Platforma, së bashku me një grup përdoruesish të saj, ka apeluar ligjin, duke thënë se ai paraqet shkelje të Amendamentit të Parë të Kushtetutës.

Kongresi, i cili miratoi propozimin me mbështetje dypartiake, duke ngritur shqetësimin e kontrolli i platformës nga një kompani qeveritare kineze i lejon Pekinit të mbledhë të dhëna personale për qytetarët amerikanë.

Gjatë diskutimeve të sotme, shumica e gjyqtarëve dukej se ishin dakord një pikë thelbësore: ligji do të lejonte që TikTok të vazhdonte të funksiononte nëse do të pranonte të përdorte një algoritëm të ndryshëm nga ai i ByteDance, i cili duke qenë një kompani kineze nuk gëzon të drejtat e përcaktuara nga Amendamenti i Parë.

“Ligji nuk kërkon një bllokim të TikTok-ut, por largimin nga ByteDance,” tha gjyqtarja Amy Coney Barrett. Një mendim të ngjashëm shprehu edhe gjyqtarja Elena Kagan, e cila deklaroi se ligji ka të bëjë me “një koorporatë të huaj që nuk gëzon të drejtat e Amendamentit të Parë”.