Mediat evropiane: Bedri Hamza mund të sjell qasje të re në qeverisje

Mediat evropiane: Bedri Hamza mund të sjell qasje të re në qeverisje

Mediumi EU Today ka botuar një analizë te zgjedhjeve në Kosovë, duke bërë një sërë parashikimesh rreth mundësisë së ndryshimit të qeverisjes në Kosovë.

Sipas këtij portal, “marrëdhënia e Kurtit me ShBA dhe BE-në është përkeqësuar në vitet e fundit dhe ka ardhur koha për një qasje të re. Britania mund të ofrojë mbështetje për një qeveri të re”.

EU Today po ashtu vlerëson se “zgjedhjet e 9 shkurtit mund të sjellin një qeveri të re, me shumë gjasa të udhëhequr nga Bedri Hamza, kryetari aktual i Mitrovicës Jugore dhe ish-Ministër i Financave”.

Më tutje, EU Today përshkruan profilin e kandidatit te PDK për kryeministër Bedri Hamza, duke e quajtur si “një figurë e qetë, e fokusuar tek ekonomia, shëndetësia dhe arsimi; pikat kyçe që i duhen gjithë rajonit për të ecur përpara”.
Sipas këtij mediumi, “nëse Hamza bëhet lideri i ri i Kosovës, kjo do të mirëpritej nga Uashingtoni, kryeqytetet e BE-së dhe do të përbënte një mundësi për qeverinë laburiste britanike që të përfitonte nga një investim strategjik në politikën e jashtme”.

Autori po ashtu thërret që Britania të luajë një rol më aktiv në Ballkan: “David Lammy në rolin e tij si sekretar i jashtëm në hije bëri një vizitë të hershme në Kosovë. E pyetja që shtrohet është se nëse ai mund ta kthejë këtë shprehje interesi në një angazhim serioz britanik për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të rajonit ose të paktën për të ulur tensionet? Kjo do të ishte një mundësi për të treguar se Britania po rikthehet si një fuqi kyçe evropiane, pa pritur një rikthim të mundshëm në BE”.