
Me nderime të larta varroset komandant “Ftyra”
Sot, me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake, u zhvillua ceremonia e varrimit të ish-veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naser Shala, i njohur me nofkën e luftës komandant “ftyra”.
Përmes një komunikate për media, komuna e Malishevës bëri të ditur se ceremonitë mortore nisën me homazhe në sallën e sportit të Banjës, ku shumë bashkëluftëtarë, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë të shumtë bënë nderimet e fundit pranë arkivolit të tij.
Në mesin e pjesëmarrësve ishin deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të FSK-së, Policisë së Kosovës, strukturave komunale, si dhe personalitete të tjera nga jeta publike në trojet shqiptare.
Në mbledhjen komemorative të mbajtur pas homazheve, u ndanë kujtime dhe vlerësime për jetën dhe veprimtarinë e Komandant Ftyrës. Fjalime mbajtën Fatmir Limaj, komandant Çeliku dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Ekrem Kastrati, kryetar i Komunës së Malishevës, Metush Kryeziu, kryetar i degës së OVL të UÇK-së në Malishevë; dhe Fatmir Shurdhaj, në emër të familjes dhe banorëve të fshatit Banjë.
Ceremonia përfundoi në varrezat e fshatit Banjë, ku me nderime ushtarake dhe rite fetare, Shala u përcoll për në banesën e fundit, duke lënë pas një trashëgimi krenare për brezat që vijnë.