Më 11 nëntor, seanca për projektbuxhetin e vitit 2025
Të hënën, më 11 nëntor, Kuvendi i Kosovës do të mbajë një seancë plenare, ku në rend dite do të jetë diskutimi dhe miratimi i projektbuxhetit të Kosovës për vitin 2025.
Lajmin e ka bërë me dije shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
Ai ka thënë se gjatë seancës do të shqyrtohet përmbajtja e buxhetit, i cili nuk përfshin masa specifike për zhvillimin ekonomik dhe investimet strategjike.
“Deputetët e LDK-së do të angazhohen aktivisht në diskutime për të analizuar strukturën e propozuar të shpenzimeve dhe për të vlerësuar ndikimin e buxhetit në shërbimet publike dhe mirëqenien e qytetarëve. Ne do të punojmë për të siguruar një planifikim më të drejtë dhe efikas të burimeve publike, duke mbrojtur interesat e qytetarëve dhe duke adresuar nevojat kyçe të vendit”, ka thënë Gashi.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se ky është një buxhet që ia ka varrosur shpresën 80 mijë qytetarëve që punojnë në shtetin e Kosovës për një pagë të dinjitetshme.
“Pra, ne nuk e votojmë këtë buxhet, sepse e shohim këtë buxhet si një instrument që është letërnjoftimi i kësaj qeverie. E ky letërnjoftim është mbajtur pezull për katër vjet, fillimisht me ligjin e pagave, pastaj me koeficientin dhe në fund s’ka ndodhur asgjë”, ka thënë ai.
Tahiri ka thënë se ky buxhet nuk ka asnjë projekt kapital të rëndësishëm.
“Është një buxhet që nga ne do të kundërshtohet fuqishëm dhe është buxhet që do të rishikohet në mars të vitit të ardhshëm”, ka thënë Tahiri.