Mbrojtësi i Kosovës transferohet në Superligën e Rumanisë

Mbrojtësi i Kosovës transferohet në Superligën e Rumanisë

FC Argeș, skuadra e sapo-promovuar në elitën e futbollit rumun, ka bërë një lëvizje të rëndësishme në merkato duke firmosur me mbrojtësin kosovar Leard Sadriu.

Futbollisti 24-vjeçar, që për tre sezonet e fundit ka qenë pjesë e ekipit slloven NS Mura, ka arritur një marrëveshje dyvjeçare me klubin rumun dhe do t’i bashkohet ekipit për sezonin e ardhshëm.

Transferimi i tij është zyrtarizuar edhe nga vetë klubi rumun, FC Argeș.

Synimet e klubit rumun janë të qarta: ndërtimi i një skuadre konkurruese me qëllimin për të qëndruar në Superligë. Pas afrimeve të futbollistëve nga Steaua Bukuresht – Ignacio Heras, Rober Sierra dhe Dani Iglesias – tani është zyrtarizuar edhe transferimi i Leard Sadriut, një përforcim me përvojë ndërkombëtare.

Sadriu është një qendërmbrojtës me gjatësi 1.86 metra. Ai ka qenë pjesë e skuadrës sllovene NS Mura gjatë tre viteve të fundit, me kontratë të vlefshme deri më 31 maj 2025, por ka vendosur të nisë një aventurë të re në kampionatin rumun.

Sadriu ka regjistruar një paraqitje me përfaqësuesen e Kosovës, duke luajtur 65 minuta në miqësoren kundër Armenisë më 16 nëntor 2022 (rezultati 2-2). Ai ishte gjithashtu pjesë e grupit të Kosovës për ndeshjen problematike ndaj Rumanisë më 15 nëntor 2024, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Ajo ndeshje u ndërpre në kohën shtesë kur rezultati ishte 0-0, pasi kombëtarja e Kosovës u tërhoq nga fusha për shkak të sjelljes së tifozëve vendas. UEFA e vendosi rezultatin 3-0 në favor të Rumanisë, por federata e Kosovës e kontestoi vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (TAS).

Në sezonin 2024-25, Leardi ka luajtur 33 ndeshje, ka shënuar një gol dhe ka bërë një asist.

Me këtë transferim, FC Argeș konfirmon ambiciet për një sezon dinjitoz në elitën e futbollit rumun dhe pret që Leard Sadriu të sjellë eksperiencë dhe stabilitet në repartin defensiv. /Klankosova.tv