Mbrojtësi i Kosovës kalon Dresdeni

Mbrojtësi i Kosovës kalon Dresdeni

Klubi gjerman, SG Dynamo Dresden, ka siguruar shërbimet e Andi Hotit të premten (3 janar). Qendërmbrojtësi 21-vjeç i kombëtares së Kosovës e bëri kalimin në Dresden nga 1. FC Magdeburg.

Në sezonin 2022/23, kryetrajneri i Dresdenit, Thomas Stamm, kishte punuar me Hotin në SC Freiburg II.

Drejtori Menaxhues Sportiv i SGD, Thomas Brendel, tha: “Me Andin, ne kemi siguruar një lojtar të ri dhe shumë të talentuar i cili mund të zhvillohet edhe më tej këtu në Dresden dhe t’i japë ekipit tonë stabilitet të mëtejmë. Ai e ka dëshmuar cilësinë e tij në Bundesliga 2 viteve të fundit. E presim me padurim”.

E trajneri Stamm tha se në Freiburg kishte kaluar një vit shumë të mirë me Andin dhe thotë ta ketë shijuar punën me të.

“Përkundër moshës së tij të ri, ai është lojtar shumë i pjekur i cili mund të jetë një bllok ndërtimi për lojën tonë me stilin e tij të fortë të lojës, shoqëruar me shpejtësi. Shpresoj të kalojmë kohë të suksesshme së bashku”, u shpreh ai.

Andi Hoti ka lindur më 2 mars, 2003 në Uster, Zvicër. Ai ka shtetësi edhe të Zvicrës dhe të Kosovës. Mbrojtësi i gjatë 1.93 metra fillimisht ishte stërvitur me juniorët e FC Zurich. Janarin e vitit 2020, Hoti kaloi te U17-shat e Inter Milan, ku luajti deri te grupmosha U19 dhe fitoi kampionatin e të rinjve të Italisë, Primavera.

Ai më pas u huazua te ekipi i dytë i SC Freiburg, ku arriti vendin e dytë në divizionin e tretë nën drejtimin e kryetrajnerit Thomas Stamm në sezonin 2022/23. Pas huazimit, 21-vjeçari kaloi në mënyrë të përhershme nga Interi në Magdeburg më 2023.

Që nga atëherë, ai ka luajtur 24 ndeshje për FCM dhe Bundesliga 2 dhe në Kupën DFB. Më 18 nëntor të vitit të kaluar, Hoti debutoi për ekipin senior kombëtar të Kosovës në UEFA Ligën e Kombeve. /Klankosova.tv