Mbreti Charles diagnostikohet me kancer

Mbreti Charles diagnostikohet me kancer

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, është diagnostikuar me një formë të kancerit dhe ka nisur trajtimin, njoftoi Pallati Bakingam më 5 shkurt.

Më pak se 18 muaj në mbretërimin e tij, Mbreti Charles do të pezullojë detyrat publike, por do të vazhdojë të merret me çështje shtetërore dhe nuk do të heqë dorë nga rolet e tij kushtetuese si kreu i shtetit, tha Pallati.

Sipas njoftimit, diagnostikimi me kancer nuk është i lidhur me trajtimin për probleme me prostatë që Charles iu nënshtrua së fundmi. Pallati nuk njoftoi se nga çfarë forme e kancerit është prekur monarku 75-vjeçar.

Pallati Bakingam tha se “është vërejtur një çështje tjetër shqetësuese” gjatë trajtimit që Charles bëri muajin e kaluar për prostatën, kur ai qëndroi tre net në një spital në Londër.

“Testet diagnostikuese kanë identifikuar një formë të kancerit”, tha pallati.

Mjekët, sipas njoftimit, kanë këshilluar Charlesin që të shtyjë detyrat e tij publike. Pallati tha se mbreti britanik është pozitiv lidhur me trajtimin e tij dhe shpreson që t’iu kthehet detyrave publike sa më shpejt që të jetë e mundur.

Charles u bë mbret në shtator të vitit 2022, pas vdekjes së nënës së tij Mbretëreshës Elizabeth II, e cila vdiq në moshën 96-vjeçare.