Mblidhen gati 7 mijë pako me fletëvotime të diasporës

Mblidhen gati 7 mijë pako me fletëvotime të diasporës

Në kutitë postare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Shtutgart, Podgoricë dhe Vjenë, janë tërhequr votat e para të dërguara nga votuesit e diasporës.

Kështu ka njoftuar ky institucion, duke bërë të ditur se në këto kuti postare janë pranuar gjithsejtë 6,846 zarfe me vota nga tri qytetet e sipërpërmendura.

KQZ-ja tha se me qëllim të mundësimit të votimit përmes postës janë duke funksionuar kutitë postare në 22 shtete të ndryshme të botës, përfshirë dhe kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe duke filluar nga sot, KQZ ka filluar me tërheqjet e para të pakove me fletëvotime nga kutitë postare, në të cilat shtetasit e Kosovës të regjistruar për të votuar përmes postës mund të dërgojnë pakon e tyre me fletëvotim.

Në përputhje me procedurat, gjatë ditës së enjte është realizuar tërheqja e 6,054 pakove me fletëvotime nga kutia postare e KQZ-së në Shtutgart të Gjermanisë dhe të njëjtat janë dërguar në Konsullatën e Republikës së Kosovës në këtë qytet, të cilat janë vendosur në dhomën e sigurisë dhe që vëzhgohet me kamera 24 orë”, njoftoi KQZ-ja.

Ky proces u tha se është realizuar nën mbikëqyrjen e anëtarëve dhe stafit të KQZ-së, vëzhguesve të subjekteve politike të akredituar për vëzhgimin e procesit zgjedhor dhe të përfaqësuesve të autorizuar të përfaqësisë diplomatike.

Këto pako me fletëvotime dhe të tjerat që do të tërhiqen në mënyrë të herëpashershme, KQZ-ja tha se do të sillen në Kosovë gjatë ditëve në vazhdim.