
Mbledhja e 260 e Qeverisë, këto janë vendimet
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhje në të cilën ka:
- Emëruar znj. Fikrije Zymberi në pozitën e Drejtores Ekzekutive në Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur;
- Emëruar znj. Besa Bytyqi – Baraliu në pozitën e Drejtores së Përgjithshme të Inspektoratit të Arsimit;
- Emëruar znj. Sebahate Bushrani Ibraimi në pozitën e Drejtores Ekzekutive në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës;
- Emëruar Komisionin Ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim në Pozitën e lartë të Kategorisë Drejtuese: Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë Qendrore të Prokurimit;
- Emëruar Komisionin Ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim në Pozitën e lartë të Kategorisë Drejtuese: Drejtor Ekzekutiv në Thesarin e Kosovës;
- Ndarë 20,721 euro me qëllim mbulimin e kontributit vjetor të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Qendrën Rajonale të Nismës Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë (MARRI);
- Emëruar Komisionin e Ankesave për Shtetësi. Ky komision do të funksionojë si organ i pavarur administrativ për shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve për shtetësinë, duke siguruar një proces të drejtë dhe transparent. Qëllimi është forcimi i mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve dhe përmirësimi i procedurave administrative në këtë fushë;
- Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit Mbyllja e Deponisë aktuale dhe realizimin e Deponisë Sanitare të Re në Pejë, Zona Kadastrale Lutogllavë, Komuna e Pejës;
- Emëruar z. Labinot Zeqiri në pozitën e Kryeinspektorit të Inspektoratit Qendror të Shëndetësisë;
- Plotësuar dhe ndryshuar Tabelat nga paragrafi 2. i nenit 10 të Ligjit Nr.02/L-128 për Barnat Narkotike, Substancat Psikotrope dhe Prekursorë, duke u bazuar në mekanizmat për ndërrim dhe plotësim të përcaktuar me Konventat Ndërkombëtare për kontrollin e Narkotikëve;
- Rialokuar 4.5 milionë euro në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal nga projekti kapital “Bashkëfinancimi me donatorët për skemën e granteve bazuar në performancën komunale” në 25 projekte kapitale në përputhje me 25 marrëveshjet e mirëkuptimit për projekte kapitale të nënshkruara nga Ministri i MAPL-së dhe Kryetarët e Komunave dhe donatorët;
- Aprovuar Planin e rishikuar të Veprimit 2025-2026 për zbatimin e Strategjisë për Vetëqeverisje Lokale 2016-2026. Përmes këtij plani të veprimit synohet të rritet autonomia lokale dhe të ofrohen shërbime me kosto efektive nëpër komuna.