Mbi 700 infermierë kërkuan licencë për punësim jashtë vendit gjatë vitit të kaluar
Kryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës (OIK), Nexhmije Gori, ka thënë se gjatë vitit 2023, Oda ka lëshuar 713 licenca për infermierë, certifikata që u shërbejnë atyre për punësim jashtë vendit.
E shkaktarë sipas saj janë të shumtë, duke filluar nga pagat e kushtet e punës. Ajo vlerëson se sistemi shëndetësor në Kosovë për një kohë shumë të afërt do të ballafaqohet me një krizë serioze të infermierëve.
Sipas tyre, deri më tash nuk janë marrë seriozisht kërkesat dhe kushtet në të cilat punojnë stafi mjekësor.
Gori ka thënë se viti i kaluar është rekord i lëshimit të këtyre certifikatave, teksa gjatë vitit 2022 543 infermierë kanë kërkuar dëshmi të njëjtë, ndërsa viti 2021 ka pasur një rënie të numrit për shkak të pandemisë.
“Në bazë të statistikave të cilat ne i posedojmë, viti 2021 ka pasur një rënie, natyrisht në bazë të analizave është shkak edhe pandemia. Rritja ka qenë në vitin 2022 që ka filluar dukshëm dhe kanë kërkuar për licenca paplastifikim 543 infermierë nga gjithë Kosova. Ndërsa në vitin 2023 ky numër është rritur qind për qind, do të thotë deri me datën 25 të muajit dhjetor 2023 kanë kërkuar 713 licenca të pa plastifikuara, çka do të thotë këto licenca ata i kërkojnë për të migruar në vendet e rajonit dhe për të zhvilluar profesionin më tutje”, ka thënë Gori.
Gori ka thënë se Ligji i Pagave ka shpërfaqur edhe më tej pakënaqësinë e këtij komuniteti. Ajo përmend një sërë shkaktarësh që sipas saj i detyron infermierët të largohen nga Kosova.
“Shkaqet tashme janë të ditura, kushtet financiare e sidomos me ligjin e fundit të pagave i cili ka qitur në pah shumë pakënaqësi, kërkesa, ankesa të komunitetit tim. Realisht një pagë çfarë ata paguhen sot në vendin tonë është e pa mundur për t’i mbuluar shpenzimet mujore e mos të them për ta mbajtur edhe familjen. E ku shumica prej neve si komunitet kemi edhe kredia edhe gjëra të tjera. Infrastruktura natyrisht shëndetësore në Kosovë mbetet për t’u dëshiruar, fluksi i madh i pacienteve në raport me infermieret dhe sigurisht ndonjëri nga ata kërkon një jetë më të mirë, me të sigurt. Tash tregu në rrethin po ju mundëson atyre përveç kushteve më të mira, pagë me të mirë, po ju mundëson banim e natyrisht edhe tërheqje të familjes”, ka thënë ajo.
Kryetarja e OIK-ut, liberalizimin e vizave e sheh si mundësi më të lehtë për të gjetur një vend pune në Evropë. Thotë se kriza për mungesë të infermierëve është duke u thelluar.
“Në bazë të fluksit çfarë është edhe po shihet çdo ditë e më shumë, e mos të them tani edhe me liberalizimin e vizave që mundësi është edhe me e lehtë që ata të ndërrojnë vendbanimin është goxha numër i madh edhe krizë që përveç infermiereve edhe të rinjtë ta lëshojnë vendi tonë. Është për ta ardhur keq me të vërtet sepse ne kemi një rini mjaftë të përgatitur në këtë profesion dhe në një farë mënyre shtetet e rajonit po na marrin produktin e gatshëm, kur në vendin tonë kemi nevojë për ta dhe ky treg nuk po ofron mundësi sa duhet. Sigurisht që është një krizë edhe ajo vetëm po vjen duke u thelluar edhe më tepër”, u shpreh ajo.