Mbi 180 mijë banesa të zbrazëta në Kosovë

Mbi 180 mijë banesa të zbrazëta në Kosovë

Kosova po ndërtohet me ritme të shpejta, por pas këtij bumi fshihet edhe një paradoks: mijëra banesa mbeten bosh. Investimet nga diaspora e kanë gjallëruar tregun, por, mësa duket, pa ndikim real në ekonomi, raporton Radio Evropa e Lirë.

Për 13 vjet – nga 2011-ta deri më 2024 – numri i banesave dhe shtëpive në Kosovë është rritur për 43 për qind.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se vendi, me rreth 1.6 milion banorë, ka 590 mijë banesa apo shtëpi të banueshme.

Kjo do të thotë se, mesatarisht, çdo i treti banor ka “kulm mbi kokë”.

Të dhënat e dala nga regjistrimi i popullsisë, vitin e kaluar, tregojnë po ashtu se mbi 96 për qind e familjeve janë pronare të shtëpive ku jetojnë.

Vëzhguesit e këtij trendi thonë se mentaliteti i qytetarëve është që investimi në objekte banimi, siguron zgjidhje afatgjate për mirëqenien e familjes.

“Kohëve të fundit, çiftet e reja e sigurojnë banesën e tyre edhe më herët dhe numri i anëtarëve në familje është më i vogël se në të kaluarën”, thotë Naser Kabashi, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, për Radion Evropa e Lirë.

Por, një shifër që ai e konsideron shqetësuese, është ajo e banesave të zbrazëta.

Sipas ASK-së, në Kosovë janë mbi 182 mijë të tilla, që përfshijnë banesat ende në ndërtim, të blera dhe të destinuara për shitje.

Përfaqësues të agjencive të patundshmërive dhe pronarë të kompanive ndërtuese thonë se një përqindje e madhe e banesave të pabanuara, janë pronë e diasporës.

Këto pohime mbështeten edhe nga të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas të cilave, diaspora zë vendin e parë sa u përket investimeve të huaja që bëhen kryesisht në patundshmëri.

Nga mbi 856 milionë euro investime të huaja vitin e kaluar, mbi 647 milionë u investuan në sektorin e patundshmërisë.

Për Kabashin, banesat e blera kryesisht nga diaspora, janë “një pasuri e vdekur e pashfrytëzuar”, e cila nuk sjell asnjë rezultat në zhvillimin ekonomik.

Shkrimi i plotë: https://www.evropaelire.org/a/kosova-patundshmeri-banesa-zbrazeta/33365706.html