Mbi 137 milionë euro për rehabilitimin dhe modernizimin e njësisë A3 në Termocentralin Kosova A

Mbi 137 milionë euro për rehabilitimin dhe modernizimin e njësisë A3 në Termocentralin Kosova A

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka shpallur të premten tenderin për fazën I të projektit kapital “Rehabilitimi dhe Modernizimi i njësisë A3 në Termocentralin Kosova A”.

Përmes këtij projekti synohet të rrisë kapacitetin e prodhimit dhe të ndikoj në përmirësimin mjedisor të Njësisë A3.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky projekt është investimi më i madh në kapacitetet gjeneruese në KEK që nga ndërtimi i termocentraleve tona.

“Mbi 137 milionë euro për rehabilitimin dhe modernizimin e njësisë A3 si asnjëherë më parë, duke paguar çdo cent nga fitimi i arritur për më pak se katër vjet të Qeverisjes sonë dhe të udhëheqjes së re korporative. Ky projekt është investimi më i madh në kapacitetet gjeneruese në KEK që nga ndërtimi i termocentraleve tona. Me këtë investim Bllokut A3 po ia: Zgjasim jetën për 20 vjet; Rrisim kapacitetin nga rreth 120 – 140 MW në 215 MW; Shtojmë orët e punës nga rreth 5400 orë në vit në 7700 orë në vit; Dyfishojmë prodhimin vjetor nga rreth 700 mijë MWh orë në 1.5 milionë MWh; Si dhe përmirësojmë efikasitetin mjedisor sepse A3-shi i rehabilituar do të përdorë gati 30% më pak thëngjill dhe me teknologjinë e standardet bashkëkohore, do të pakojë për mbi 50% dromcat, oksidet e azotit e dioksidin e sulfurit që nxjerr gjatë prodhimit”, ka thënë Kurti.

Ai ka falënderuar punonjësit, menaxhmentin dhe bordin e KEK-ut, ekipin e Ministrisë së Ekonomisë, USAID-in për përkrahje teknike dhe të gjithë që kanë kontribuar duke bërë të mundur këtë projekt e këtë investim.

Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli nënvizoi se vitet e ardhshme do të jenë sfiduese, pasi siç tha ajo, një kohë termocentralet do të jenë jashtë funksionit. Megjithatë, ka shtuar se rezultatet e procesit rehabilitues të termocentralit do të jenë pozitive.