
Mbi 1 mijë familje dhe 10 biznese përfitojnë nga subvencionimi për pajisje efiçiente të energjisë
Bashkimi Evropian ka ndarë 7.5 milionë euro shtesë për Kosovën në kuadër të Pakos së Mbështetjes Energjetike (IPA 2023), duke e rikonfirmuar mbështetjen e tij për tranzicionin e gjelbër dhe energjinë e pastër në vend.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se është lëshuar kësti i fundit nga BE-ja, për të mundësuar disbursimin e mjeteve për 1,435 familje dhe 10 biznese që kanë përfituar në raundin e fundit të subvencioneve për pajisje efiçiente të energjisë.
“Prej vitit 2022, fillimisht përmes masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës e tutje me mbështetje të Bashkimit Evropian, kemi përkrahur mbi 43 mijë familje dhe biznese me mbi 19.6 milionë euro, duke ulur kostot e energjisë dhe përmirësuar kushtet e jetesës në mbarë vendin. Një falënderim i veçantë për Bashkimin Evropian për partneritetin e vazhdueshëm dhe besimin që e bën të mundur realizimin e programeve të tilla që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve tanë”, ka shkruar Rizvanolli në “Facebook”.
