Mbajtja e ish-ushtarit të UÇK-së në Serbi, reagon MPJD-ja
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se sot pas miratimit të kërkesës nga autoritetet serbe, ambasadori i Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, e ka vizituar Hasan Dakajn në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës Speciale për Krime të Luftës të Beogradit, ku ai është duke u mbajtur.
Hasan Dakaj është arrestuar në Serbi më 5 janar.Sipas njoftimit, sa i përket trajtimit të tij, Dakaj ka theksuar se deri me tani nuk ka përjetuar ndonjë dhunë fizike apo formë tjetër të maltretimit.Po ashtu është bërë e ditur se atij i është lejuar të kontaktojë me telefon familjen e tij.
“Gjatë vizitës që i është bërë me datë 10.01.2024, z. Dakaj e ka konfirmuar se Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit e ngarkon atë për gjoja krime të luftës kundër popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë më 1999”- thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, diplomatët dhe përfaqësuesit e Republikës së Kosovës në vazhdimësi para bashkësisë ndërkombëtare kanë ngritur shqetësimin mbi veprimet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës.
MPJD ka bërë thirrje që të njëjtit të angazhohen për lirimin e menjëhershëm të qytetarëve Hasan Dakaj, Nezir Mehmetaj dhe të tjerëve që mbahen në Serbi.
“Marrë parasysh fushatën përndjekëse dhe veprimet arbitrare të Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe në veçanti atyre që kanë qenë pjesë të luftës çlirimtare, MPJD fton të gjithë qytetarët që të kenë kujdes të shtuar dhe nëse ballafaqohen me vështirësi të natyrave të ndryshme gjatë udhëtimit të tyre nëpër Serbi, që të na kontaktojnë në numrin e telefonit: +383 46 51 00 51”, thuhet në njoftim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hasan Dakaj, i cili u arrestua më 5 janar në pikën kufitare në Merdarë është ende duke u mbajtur në paraburgim në Serbi.
Kurti e quajti këtë sjellje dashakeqëse të Serbisë, duke shtuar se shteti serb vazhdon të mbajë në paraburgim edhe Nezir Mehmetajn e Petrit Dulajn.