Mbahet trajnimi mbi psikologjinë e të mbijetuarave të dhunës me bazë gjinore
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka njoftuar për trajnimin që u mbajt nga Donika Shahini-Lami, psikologe klinike, e cila ndau përvoja dhe njohuri mbi qasjen psikologjike ndaj viktimave të dhunës.
Ajo ka theksuar rëndësinë e ndjeshmërisë dhe mirëkuptimit në trajtimin e tyre, duke ofruar praktika konkrete dhe teknika mbështetëse për lehtësimin e procesit të shërimit.
Pjesëmarrësit/et diskutuan mbi sfidat dhe praktikat më të mira në raportimin dhe mbështetjen e viktimave. Ata ndanë përvoja nga fusha dhe shkëmbyen njohuri e aftësi profesionale.
Erblina Dinarama, drejtoreshë e Shtëpisë së Sigurt në Gjakovë, ka prezantuar në detaje punën e qendrës. Ajo ka treguar për rastet që pranojnë, mënyrat e raportimit dhe përpjekjet për të mbrojtur viktimat dhe shmangur rikthimin e traumave.
Përmes shembujve praktikë, Dinarama ndau qasjet që përdorin për të krijuar një mjedis të sigurt dhe mbështetës për gratë dhe vajzat.
Ky aktivitet është pjesë e projektit në bashkëpunim me UN Women Kosovo, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga British Embassy Pristina.