Mbahet mbledhje komemorative për Agim Vatovcin
Ish-kryetari i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara dhe avokuesi për të drejtat e njeriut, Agim Vatovci ka vdekur në moshën 68-vjeçare.
Të hënën është mbajtur mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së ish-kryetarit të Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara dhe avokuesit për të drejtat e njeriut, Agim Vatovci.
Kontributi që Agim Vatovci ka dhënë për avancimin e të drejtave të njeriut e në veçanti për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, u vlerësua lart nga të pranishmit në këtë mbledhje komemorative.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, nën patronazhin e të cilit u organizua mbledhja komemorative, tha se emri i Agim Vatovcit nuk do të harrohet asnjëherë. “Qyteti i Vushtrrisë humbi një aktivist të pashoq që gjithë jetën u angazhua për avancimin e të drejtave të njeriut e në veçanti për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Puna e tij, do ta bëjë që emri i tij do të përmendet gjithherë me krenari”, tha kryetari Idrizi.
Agim Vatovci ka qenë kryetar i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara dhe avokues për të drejtat e njeriut.