Mbahet Forumi Ekonomik Kosovë-Turqi, Kurti mori pjesë në hapjen e tij
Për herë të parë po mbahet Forumi Ekonomik mes Kosovës dhe Turqisë, i cili po zhvillohet në Stamboll.
Ky forum mbledh bashkë biznese nga Kosova dhe Turqia, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe zgjerimit të mundësive për investime. Fillimit të ngjarjes i parapriu një takim bilateral mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrit të Tregtisë të Turqisë, Ömer Bolat.
Në fjalën e tij në hapje të forumit, kryeministri shprehu mirënjohjen për marrëdhëniet e thella ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, duke nënvizuar dhe rolin që do ketë ky forum në avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes dy vendeve tona.
“Lidhjet tona janë vendosur në një trajektore gjithnjë e në rritje të bashkëpunimit ekonomik, me investimet turke të gatshme për të luajtur një rol jetik në zhvillimin e Kosovës. Fushat kryesore të bashkëpunimit përfshijnë tregtinë, mbrojtjen, teknologjinë dhe industrinë e lehtë. Këtu me ne sot janë dhjetëra kompani të suksesshme nga Kosova, si dhe përfaqësues të Odës Tregtare Kosovaro-Turke, Shoqatës së Përpunimit të Drurit në Kosovë dhe Shoqatës së Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve, duke demonstruar potencialin dhe perspektivat investuese që ofron Kosova për investitorët turq”, tha kryeministri.