Martohen Gjesti e Egli

Martohen Gjesti e Egli

Një tjetër dasmë ka ndodhur në Big Brother VIP 4, vetëm pak ditë nga finalja e madhe e 19 prillit.

Nisur nga kërkesa e Gjestit, Vëllai i Madh organizoi një dasmë tradicionale për të dhe Eglin.

Një event special i organizuar në zonën “Storm Arena”, ku nuk munguan të ftuarit specialë.

Shumë ish-banorë si Loredana, Valbona, Tiri, Livia, Klajdi etj. morën pjesë në këtë ceremoni si të ftuar, ndërsa dy opinionistët, Arbër Hajdari dhe Neda Balluku kishin rolin e dëshmitarëve.

Por surprizat nuk mbaruan me kaq, sepse ai që i kurorëzoi ishte pikërisht moderatori i këtij programi, Ledion Liço, i cili shpalli burrë dhe grua Eglin e Gjestin pasi i thanë ‘PO’ njëri-tjetrit.

Pasi shkëmbyen puthjen e tyre, filloi muzika, me dy artistët e mirënjohur, Remzie dhe Nexhat Osmani, të cilët “ndezën” atmosferën e dasmës me këngët e tyre.

Ceremonia vijoi për disa orë, e cila u transmetua drejtpërsëdrejti në dy kanalet e Big Brother VIP në DigitAlb.