Maqedonci e pranon se kanë vështirësi në furnizimin me ushqim të pjesëtarëve të FSK-së
Në mbledhjen e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, të kryesuar nga kryetari Bekë Berisha, që u mbajt të martën, ka raportuar ministri i FSK-së, Ejup Maqedonci.
Në fillim të mbledhjes kryetari Berisha u shprehu ngushëllime familjarëve të tre të rinjve të cilët humbën jetën në një aksident tek Liqeni i Badovcit, duke kërkuar njëkohësisht nga ministri i Punëve të Brendshme dhe Policia të sigurojnë sinjalistika, ndriçim dhe patrullim, në mënyrë që të mos përsëriten aksidente të tilla.
Tutje, diskutimi i anëtarëve të Komisionit me ministrin e FSK-së ka vazhduar për dy çështje kryesore: shërbimi dhe furnizimi me ushqim i pjesëtarëve të FSK-së dhe largimi i pjesëtarëve të FSK-së.
Ministri Maqedonci fillimisht prezantoi në detaje aktivitetet e ministrisë dhe FSK-së, operacionet, ligjet, rregulloret, zhvillimin e kapaciteteve ushtarake, vizitat, trajnimet etj., ndërsa më pas dha përgjigje në shqetësimet që u ngritën në Komision.
Ai tha se janë në përfundim të zgjidhjes së çështjes së ushqimit dhe se fokusi i tyre është ndërtimi i një koncepti të ri, më afatgjatë, që do të garantojë ushqim për FSK-në.
Ai pranoi se janë në një situatë të vështirë gjatë kësaj periudhe për shkak të kontratës dhe tranzicionit të shërbimit me ushqim me kapacitete vetjake, duke shfrytëzuar furnizimin përmes autoritetit qendror të prokurimit.
Ndërsa, sa i përket çështjes së largimeve të pjesëtarëve të FSK-së, ministri Maqedonci sqaroi se gjatë vitit 2024 FSK-ja është lënë nga 119 pjesëtarë, që sipas tij i bie me rreth 3 për qind nga numri total.
Ai tha se çdo largim është i dhimbshëm, megjithatë shtoi se vazhdon të ketë interesim të jashtëzakonshëm të të rinjve për t’iu bashkangjitur FSK-së.
Edhe përfaqësues tjerë të FSK-së vlerësuan se arsyetimi i largimit të pjesëtarëve të FSK-së lidhet me migrimin e bashkimin familjar.
Tutje, në Komision u shtruan çështje të ndryshme nga anëtarët. Përpos largimit të ushtarëve të FSK-së dhe ushqimit, çështje tjetër që u ngrit ishte edhe ajo e uniformave dhe blerja e armatimit.
Ndërkaq, disa nga anëtarë të Komisionit vlerësuan se largimin nga FSK-ja nuk e shohin si shqetësues, meqë sipas tyre 77 pjesëtarë janë larguar në bazë të ligjit, për shkak te pensionimit. Pastaj mbledhja e Komisionit ka vazhduar me dyer të mbyllura.