MAPL dhe donatorët ndajnë Grantin e Performancës Komunale për 11 komuna

MAPL dhe donatorët ndajnë Grantin e Performancës Komunale për 11 komuna

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me Zyrën e BE-së në Kosovë, Zvicrën, Suedinë dhe Norvegjinë kanë ndarë rreth 8 milion Euro për Grantin e Performancës Komunale (GPK). Ky grant, iu nda 11 komunave me performancën më të mirë, sipas një sistemi indikatorësh të shpërndarë në tre fusha kryesore: qeverisja demokratike, menaxhimi komunal dhe ofrimi i shërbimeve publike.

Komunat që u shpërblyen janë Rahoveci, Obiliqi, Skenderaj, Suhareka, Peja, Kaçaniku, Shtimja, Malisheva, Dragashi, Ranillugi dhe Parteshi. Përmes këtij granti, komunat do të investojnë në projekte kapitale që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, z.Besnik Bislimi në fjalimin e tij theksoi rëndësinë e ngritjes së cilësisë në administratën publike e cila duhet të jetë e hapur, transparente dhe llogaridhënëse.

“Reforma në administratën publike është prirotet qeveritar. Praktikat e shteteve në Evropë kanë dëshmuar se një administratë publike efikase, moderne, trasnparente dhe llogaridhënëse janë çelës i të gjitha reformave tjera”.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi vuri në theks se Granti i Performancës Komunale është instrument i Qeverisë, që mbështetë komunat financiarisht, mbi bazën e parimit të meritës dhe i rangon ato në baza vjetore, sipas performancës tyre.

“Ceremonia e Grantit të Performancës është pëmbyllje e një procesi i cili përfshinë raportim, kontroll dhe vlerësim, gjithmonë objektivë, transparent dhe të paanshëm. Përmes këtij granti ne synojmë që të mbështesim projekte të cilat bazohet edhe në rritjen e cilësisë së jetesës së qytetarëve siç janë shtimi i hapësirave të gjelbëra, rregullimi i shtratit të lumenjëve apo reduktimi i hapësira me mbeturina.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog ka përgëzuar komunat përfituese të Grantit të Performancës Komunale duke theksuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për qeverisjen lokale.

“BE-ja është jashtëzakonisht krenare të jetë pjesë e këtij mekanizmi inovativ që nxit performancën komunale dhe i sjell qytetarët më afër administratave të tyre lokale. Përmirësimi i efikasitetit të komunave të Kosovës është aspekt kyç i qeverisjes së mirë. Administrata publike që është llogaridhënëse, transparente dhe funksionon mirë përmirëson jetët e qytetarëve dhe kontribuon në mirëqenien e tyre,” tha Szunyog.

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher theksoi se ndikimi i Grantit të Performancës Komunale te komunat përfituese është i dukshëm, teksa vlerësoi bashkëpunimin dhe angazhimin e të gjitha palëve për suksesin e këtij Granti.

“Ne e vlerësojmë dhe përgëzojmë punën e palodhshme dhe përkushtimin e zyrtarëve komunalë, kryetarëve të komunave, drejtorëve dhe anëtarëve të Kuvendeve Komunale. Ky përkushtim jo vetëm që rrit performancën e komunave, por gjithashtu fuqizon qeverisjen demokratike lokale, përmirëson cilësinë e jetës për qytetarët dhe rrit kënaqshmërinë e qytetarëve”.

Zëvendësambasadori i Suedisë, Henrik Riby në fjalimin e tij ka theksuar rëndësinë e angazhimit të qytetarëve në proceset vendimarrëse në Kosovë, për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të qytetarëve, në veçanti grupeve të margjinalizuara.

“Suedia vlerëson shumë ndërtimin e besimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, pasi është thelbësore për një kulturë të fortë demokratike. Demokracia vërtetë ka sukses kur qytetarët marrin pjesë në mënyrë aktive. Ministria së bashku me kryetarët e komunave dhe ekipet e tyre janë si arkitektë, që i kthejnë idetë në rezultate të prekshme për qytetarët e tyre. Është e domosdoshme që qytetarët të bëhen vendimmarrës në procesin e zgjedhjes së projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre”, theksoi Riby.

Granti i Performancës Komunale financohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunin me DEMOS për t’i përkrahur komunat në projekte komunale. Nga viti 2014 deri në vitin 2023, grante në vlerë totale prej 33.5 milionë euro u janë dhënë 33 nga 38 komunave. Këto grante kanë financuar 430 projekte, duke ndikuar pozitivisht në jetët e një milion qytetarëve.