
Macron shtyn përpara planet për një forcë sigurie në Ukrainë gjatë samitit në Paris
Liderë nga më shumë se 30 vende u takuan të enjten në Paris për të biseduar për gjetjen e një mënyrë se si ta forcojnë pozicionin e Ukrainës brenda dhe jashtë fushëbetejës. Ata premtuan ndihmë të re për Kievin dhe shqyrtuan propozimet për vendosjen e forcave evropiane në Ukrainë, në rast të ndonjë marrëveshje për paqe.
Pas samitit të quajtur “koalicioni i vullnetit” – i cili nuk përfshin Shtetet e Bashkuara – presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se liderët e mbledhur në Paris janë më të bashkuar se kurrë rreth Ukrainës dhe se ata duhet të garantojnë se janë në gjendje ta kundërshtojnë synimin e Rusisë për zvarritjen e bisedimeve për paqe me qëllim të marrjes së më shumë territori.
“Qëllimi ynë është i qartë”, tha Macron në një konferencë për shtyp pas samitit.
“Është të arrijmë paqe dhe për ta bërë këtë, duhet ta vendosim Ukrainën në pozicionin më të mirë të mundshëm”, theksoi ai.
Presidenti francez tha ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të koalicionit kanë për detyrë shqyrtimin e çështjeve specifike ligjore mbi çdo forcë sigurie të udhëhequr nga Evropa, për ta mbështetur një armëpushim, dhe do të raportojnë përsëri brenda tri javësh.
“Do të ketë një forcë sigurie që do të veprojë në Ukrainë, duke përfaqësuar disa vende”, tha Macron, raporton Rel.
“Nuk është Rusia ajo që mund të vendosë nëse një forcë sigurie mund të vendoset në Ukrainë”, nguli këmbë ai.
Ai shtoi se tani për tani nuk ka njëzëshmëri për dërgimin e një force të udhëhequr nga Evropa dhe se jo të gjithë anëtarët janë pajtuar të marrin pjesë, megjithëse theksoi se kjo nuk është e nevojshme për të ecur përpara.