Macron mbërrin në Vietnam për një tur në Azinë Juglindore

Macron mbërrin në Vietnam për një tur në Azinë Juglindore

Gjatë udhëtimit të tij gjashtëditor që përfshinë ndalesa në Indonezi dhe Singapor, presidenti francez Emmanuel Macron do të theksojë respektin e tij për sovranitetin e vendeve aziatike.

Presidenti francez pritet të takohet me udhëheqësinë më të lartë të Vietnamit të hënën në kryeqytetin Hanoi dhe me përfaqësues të sektorit energjetik ditën e martë.

Macron shpreson të promovojë ekspertizën e Francës në fushën e energjisë bërthamore civile në Vietnam dhe Indonezi, të cilat janë të interesuara për këtë formë energjie, ndonëse edhe vende të tjera si Rusia janë në garë për marrëveshje të mundshme.

“Sfidat madhore të këtij shekulli… mund të përballohen vetëm në bashkëpunim me partnerët tanë”, shkroi Macron në rrjetet sociale pas mbërritjes në Hanoi, transmeton BallkanWeb.

“Kam ardhur këtu për të forcuar lidhjet tona në fusha kyçe: mbrojtje, inovacion, tranzicion energjetik dhe shkëmbime kulturore. Kudo që shkoj, do të them një gjë të thjeshtë: Franca është një fuqi paqeje dhe ekuilibri,” tha ai. “Është një partner i besueshëm që beson në dialog dhe bashkëpunim. Kur disa zgjedhin të tërhiqen, Franca zgjedh të ndërtojë ura.”

Vullneti i Francës “për t’u angazhuar fuqishëm në gjeopolitikën e Indo-Paqësorit i ofron Vietnamit një kundërpeshë të vlefshme ndaj ndikimit në rritje të Kinës”, tha Nguyen Khac Giang, një studiues vizitor në Institutin ISEAS-Yusof Ishak në Singapor.

Në Indonezi, Macron do të zhvillojë bisedime me sekretarin e përgjithshëm të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), Kao Kim Hourn, të mërkurën. Ndihmësi i Macron tha se presidenti po “mbështet idenë e rregullave ndërkombëtare të tregtisë – pasi nuk duam një xhungël ku mbizotëron ligji i më të fortit”.

Ai shtoi se mesazhi i Macron i drejtohet si Uashingtonit, që po ushtron “presion jashtëzakonisht të fortë” përmes tarifave, ashtu edhe Pekinit, i cili po bëhet gjithnjë e më agresiv në çështjet tregtare dhe mosmarrëveshjet territoriale, veçanërisht në Detin e Kinës Jugore. Para nisjes, Macron zhvilloi bisedime me udhëheqësin kinez Xi Jinping, ku bëri thirrje për “konkurrencë të ndershme” mes të dy vendeve. Ndërsa në Singapor, të premten, Macron do të mbajë fjalimin hapës në Dialogun Shangri-La, forumin më të madh të Azisë për siguri dhe mbrojtje.

Ai pritet të theksojë se lufta e Rusisë në Ukrainë po destabilizon Azinë duke “bërë që ushtarë të Koresë së Veriut të luftojnë në tokën evropiane kundër ukrainasve dhe duke mbështetur programet balistike dhe bërthamore të Koresë së Veriut,” tha ndihmësi presidencial./France 24/