Macron: Ceremonia e hapjes së Olimpiadës së Parisit mund të zhvendoset

Macron: Ceremonia e hapjes së Olimpiadës së Parisit mund të zhvendoset

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka njoftuar se ceremonia e hapjes së Olimpiadës së Parisit mund të zhvendoset nga lumi Seine.

Ai paralajmëroi se ceremonia hapëse mund të zhvendoset në Stade de France, duke iu rikthyer një ceremonie tradicionale, shkruan BBC, përcjell klankosova.tv

Kjo për shkak se janë shtuar shqetësimet për siguri pas kërcënimeve nga grupi i Shtetit Islamik për ndeshjet e futbollit çerekfinale të Ligës së Kampionëve në Paris, Madrid dhe Londër.

“Kjo ceremoni hapëse… është e para në botë. Ne mund ta bëjmë dhe do ta bëjmë.  Por, ka plan B dhe plan C. Po i përgatisim paralelisht, dhe gjithçka do të analizojmë në kohë reale”, tha Macron në një intervistë me mediat franceze.

Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se luftërat në Ukrainë dhe Gaza mund të rrisin kërcënimin e sigurisë, me autoritetet franceze që përmendin mundësinë e një sulmi me dron.

Tashmë është bërë e ditur se turistëve nuk do t’u jepet akses falas për të parë ceremoninë, siç ishte planifikuar fillimisht. Në vend të kësaj, biletat do të jenë vetëm me ftesë, jo me regjistrim të hapur.