
LVV-ja i drejtohet Kushtetueses kundër vendimit të Supremes për votat me postë
Lëvizja Vetëvendosje njoftoi të enjten pasdite se i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese ta vlerësojë kushtetutshmërinë e vendimit të Gjykatës Supreme, e cila një ditë më parë e rrëzoi ankesën e kësaj partie ndaj një vendimi të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP) në lidhje me votimin me postë.
Ajo tha se gjithashtu ka kërkuar nga Kushtetuesja të vendosë “masë të përkohshme ndaj një vendimi absurd dhe të ndikuar politikisht të Supremes”.
“Në këto rrethana vendimi në kohë sa më të hershme në lidhje me kërkesën për masë të përkohshme do të ishte mundësi e vetme e parandalimit të tjetërsimit dhe deformimit të vullnetit të shprehur të qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025”, shkroi LVV në Facebook.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar vazhdimisht anulimin e votave me postë që i ka fituar Lidhja Demokratike e Kosovës dhe rivotim, duke e akuzuar këtë parti për “manipulim”.
Supremja rrëzoi të mërkurën si të pathemeltë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj vendimit të PZAP-it, i cili nuk e kishte pranuar kërkesën e saj për anulimin e votave me postë dhe shkuarjen në rivotim me postë.
LDK-ja i ka hedhur poshtë akuzat e LVV-së, duke thënë se kërkesa për anulimin e votave me postë po bëhet “vetëm pse nuk u pëlqen rezultati”.
Mbi 84.000 shtetas të Kosovës në mërgatë kishin zgjedhur të votonin përmes postës për zgjedhjet e 9 shkurtit, sipas (KQZ). LVV-ja fitoi më së shumti vota nga votimi me postë, 51.57 për qind, duke e lënë LDK-në në vendin e dytë me 30.55 për qind të votave.
Vendimi i partisë së kryeministrit Albin Kurti për t’u ankuar në Kushtetuese vjen në ditën kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit. /Rel