LV ankohet në Supreme ndaj urdhrit të PZAP-it për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhje

LV ankohet në Supreme ndaj urdhrit të PZAP-it për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhje

Partia në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka bërë ankesë të premten në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për ta urdhëruar Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Përfaqësuesit e partisë në pushtet në KQZ kishin votuar kundër certifikimit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – në një mbledhje të mbajtur më 23 dhjetor.

Dy ditë më vonë PZAP-i e pranoi ankesën e Listës Serbe duke e rrëzuar vendimin e KQZ-së, si dhe e urdhëroi atë ta certifikojë Listën Serbe, duke thënë se kjo parti kishte dorëzuar dokumentacionin në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregullat e tjera të KQZ-së.

Por, të premten, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, e dorëzoi ankesën në Gjykatën Supreme në emër të LVV-së ndaj vendimit të PZAP-it.

Gjykata Supreme mund të vendosë për ankesën e LVV-së brenda një afati prej 72 orësh, shkruan Rel.

Përfaqësuesit e partisë në pushtet e kanë arsyetuar kundërshtimin e certifikimit të Listës Serbe duke thënë se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe vazhdon ta quajë atë provincë autonome të Serbisë, “Kosova dhe Metohia”.

Vendimi i PZAP-it u mirëprit nga Lista Serbe, e cila e cilësoi vendimin e KQZ-së si përpjekje “për eliminimin e Listës Serbe” nga procesi zgjedhor.

E gjithë kjo, sipas këtij subjekti, u bë për të “favorizuar serbët e përshtatshëm me [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurti pasi çdo gjë është realizuar drejtpërdrejt nën urdhrin e tij dhe është motivuar politikisht”.

Perëndimi kishte shprehur shqetësim dhe keqardhje për moscertifikimin e Listës Serbe pas vendimit të KQZ-së më 23 dhjetor.

Lista Serbe vendosi të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit pas një periudhe të bojkotimit të proceseve politike në Kosovë.

Më 2022, pjesëtarë të kësaj partie patën dhënë dorëheqje në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shtrirje të autoritetit në gjithë territorin e vendit.