
Lushtaku: Situata nga vërshimet në Komunën e Skenderajt është përkeqësuar (foto)
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka theksuar se situata nga vërshimet në Komunën e Skenderajt është përkeqësuar ndjeshëm.
“Si pasojë e reshjeve të pandërprera në orët e fundit, janë vërshuar shumë ekonomi familjare, biznese, rrugë e prona publike, oborre dhe toka bujqësore të qytetarëve, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe rrezik real për sigurinë e qytetarëve”.
“Ekipet komunale, shërbimet emergjente përfshirë zjarrfikësit dhe policinë, mekanizmi i rëndë dhe qytetarë vullnetarë janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për të menaxhuar situatën, për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe për të parandaluar përkeqësime të mëtejme”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal, të shmangin zonat e rrezikuara dhe të bashkëpunojnë me ekipet që janë në terren.
“Situatën po e monitorojmë vazhdimisht dhe qytetarët do të informohen me kohë për çdo zhvillim!”, ka shkruar Lushtaku.

