Luftime në pjesën jugore të Gazës, teksa Izraeli njoftoi tërheqjen e mijëra trupave nga zona të tjera
Në qytetin Khan Younis, në pjesën jugore të Gazës, kanë vazhduar luftimet e ashpra, një ditë pasi Izraeli njoftoi se do të tërhiqte mijëra trupa nga Gaza.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar se do të vazhdojë luftën derisa grupi militant palestinez Hamas të shkatërrohet dhe të lirohen më shumë se 100 pengjet që ende mban në Gazë, duke thënë se mund të duhen edhe disa muaj të tjerë për të arritur këtë qëllim.
Por përpara një vizite në rajon nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, Izraeli është nën trysninë ndërkombëtare në rritje për të zvogëluar ofensivën që sipas të dhënave të Hamasit, që nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura, ka shkaktuar rreth 22,000 viktima mes palestinezëve.
Blinken i ka kërkuar Izraelit të bëjë më shumë për të mbrojtur civilët palestinezë.
Në një zhvillim tjetër, Gjykata e Lartë e Izraelit rrëzoi një komponent kyç të reformës në drejtësi të Kryeministrit Netanyahu.
Përpjekjet e qeverisë së zotit Netanyahu për reformimin e gjyqësorit kishin ndarë thellë izraelitët duke vënë në rrezik gatishmërinë e ushtrisë.
Vendimi shihet si një goditje fatale për planin e refomës gjyqësore.