
LRF Mitrovicë: Xhelal Broja propozohet sërish për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së
Lidhja Rajonale e Futbollit e Mitrovicës zhvilloi këtë të diel punimet e Kuvendit të Rregullt Zgjedhor, në të cilin morën pjesë 15 delegatë nga gjithsej 19 sa i ka ky kuvend.
Vendimi për mbajtjen e këtij kuvendi ishte marrë nga Bordi i LRF Mitrovicë në mbledhjen e mbajtur më 12 dhjetor 2025, në përputhje të plotë me statutin e Federatës së Futbollit të Kosovës. Në të njëjtën mbledhje ishte marrë edhe vendimi për shpalljen e zgjedhjeve për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së nga radhët e LRF Mitrovicë.
Harmonizimi i statutit të kësaj Lidhjeje Rajonale me statutin e FFK-së ishte një nga pikat e rendit të ditës, ndërsa një tjetër pikë e rëndësishme ishte zgjedhja e kandidatit të propozuar për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.
Delegatët e LRF të Mitrovicës propozuan z. Xhelal Broja si përfaqësues të rajonit të Mitrovicës në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së.
Kjo kandidaturë u mbështet nga 14 vota pro nga delegatët e pranishëm në Kuvendin e LRFM-së, derisa 1 votë ishte kundër.
Pas marrjes së besimit të delegatëve edhe për një mandat tjetër si i nominuar për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së nga LRF Mitrovicë, Xhelal Broja shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë dhe përfaqësimin e këtij rajoni në organet më të larta drejtuese të futbollit në Kosovë.
“Ju falënderoj për besimin e dhënë. Ju premtoj se do të jem një zë i fuqishëm në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së, në funksion të zhvillimit sa më të mirë të futbollit në rajonin e Mitrovicës. Faleminderit”, u shpreh Broja.
