Llapi triumfon ndaj Suharekës, Feronikeli 74 dhe Malisheva ndajnë pikët

Llapi triumfon ndaj Suharekës, Feronikeli 74 dhe Malisheva ndajnë pikët

Java e 25-të e Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll është përmbyllur me dy duele interesante, që u zhvilluan të dielën, ku Llapi ka shënuar fitore ndaj Suharekës, ndërsa Feronikeli 74 dhe Malisheva i ndanë pikët.

Në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, skuadra vendase ka shënuar fitore tejet të rëndësishme në garën për t’iu shmangur zonës së rrezikshme, duke e mposhtur Suharekën, me rezultat 2:0.

Golat e fitores për llapjanët i realizoi Ardit Tahiri, fillimisht në minutën e 32-të për epërsinë 1-0, e më pas në minutën e 82-të për ta vulosur rezultatin përfundimtar 2-0.

Pavarësisht se Llapi mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Ramadanit me karton të kuq në minutën e 43-të, skuadra llapjane arriti ta menaxhojë mirë lojën dhe të sigurojë tri pikë të rëndësishme.

Tani Llapi ka 29 pikë dhe e zë vendin e tetë, derisa Suhareka është një pozitë më poshtë me pikë të njëjta.
Ndërkohë, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, Feronikeli 74 dhe Malisheva u ndanë baras, pa gola.

Një nga mundësitë më të mira për gol i takoi Drilon Hazrollajt të Malishevës në minutën e 6-të, por ai nuk ishte i saktë nga pika e bardhë.

Malisheva pas 25 ndeshjeve të zhvilluara ka 41 pikë dhe renditet në pozitën e tretë. Ballkani e mban pozitën e dytë mDe dy pikë më shumë. Feronikeli 74 mbetet i fundit me 14 pikë.