Llapi siguron mbetjen në Superligë pas dramës së penalltive ndaj Vushtrrisë

Llapi siguron mbetjen në Superligë pas dramës së penalltive ndaj Vushtrrisë

Llapi ka arritur ta ruajë statusin në elitën e futbollit kosovar për edicionin e ardhshëm, pasi triumfoi ndaj Vushtrrisë në ndeshjen dramatike të barazhit, e cila u vendos vetëm pas ekzekutimit të penalltive, me rezultat 4:1. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” nuk prodhoi gola gjatë kohës së rregullt dhe as pas vazhdimeve, ndonëse rastet për shënim nuk munguan nga të dyja anët.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Tahir Batatina pati një paraqitje të vendosur, veçanërisht në pjesën e dytë dhe në vazhdime, duke e goditur edhe shtyllën me anë të Arianit Hasanit. Për Llapin, penalltitë i realizuan Arbnor Ramadani, Arianit Hasani, Benjamin Emini dhe Muhamed Useini.

Hero i Llapit ishte portieri kroat, Marijan Çoriq, i cili e priti penalltinë e parë të Urim Statovcit, ndërkohë që mesfushori i Vushtrrisë, Besar Iseni, e humbi penalltinë e tij duke gjuajtur mbi portë. Të vetmen penallti për Vushtrrinë e realizoi Viktor Angelov.

Vlen të theksohet se nga minuta e 100-të, Vushtrria luajti me një lojtar më pak, pas përjashtimit të kapitenit Daut Maxhuni me kartonin e dytë të verdhë.

Kjo ndeshje e barazhit shënoi edhe përmbylljen e edicionit 2024/25 në futbollin kosovar. Llapi mbetet pjesë e Superligës, ku është që nga në edicioni 2015/16, ndërkohë që Vushtrria vazhdon të mbetet jashtë elitës që nga viti 2020.