
Llapi regjistron fitoren e tretë radhazi dhe përmirëson pozitën në tabelë
Skuadra e Llapit ka vazhduar ecurinë pozitive në këtë fund të edicionit në Albi Mall Superligën e Kosovës, duke regjistruar fitoren e tretë radhazi. Në kuadër të xhiros së 30-të, Llapi triumfoi si mysafir ndaj Malishevës me rezultat 3:1, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Liman Gegaj”.
Pjesa e parë u mbyll me epërsi të dyfishtë për mysafirët. Ardit Tahiri shënoi golin e parë në minutën e 45+4′, goli që u konfirmua nga sistemi VAR. Vetëm një minutë më pas, Valmir Veliu e dyfishoi epërsinë, pas asistimit të Elvir Gashijanit.
Malisheva e ngushtoi epërsinë në minutën e 52-të përmes Laurent Xhylanit, i cili realizoi me kokë pas një harkimi nga këndi të Altin Aliut. Megjithatë, tetë minuta para përfundimit, Elvir Gashijani riktheu avantazhin prej dy golash për Llapin, duke shënuar për 3:1. Edhe ky gol u konfirmua nga VAR-i, ndërsa asistues ishte sulmuesi Tahiri.
Në minutat e fundit, Llapi mbeti me një lojtar më pak, pasi mesfushori Besar Musolli u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari Dardan Çaka, për shkak të reagimit ndaj një veprimi të lojtarit kundërshtar, Fatjon Bunjaku ndaj Gashijanit.
Me këtë fitore, Llapi ngjitet në vendin e pestë të tabelës me 39 pikë dhe tashmë është larguar ndjeshëm nga zona e rrezikut, derisa Malisheva mbetet në pozitën e tretë, me 47 pikë.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Tahir Batatina do të jetë në aksion edhe në kuadër të Kupës së Kosovës, ku më 23 prill do të zhvillojë ndeshjen kthyese në udhëtim ndaj Drenicës. Ndeshjen e parë në Podujevë, Llapi e kishte fituar me rezultat 2:0.