Llapi fiton me vështirësi ndaj Fushë Kosovës, Prishtina rikthehet te fitorja

Llapi fiton me vështirësi ndaj Fushë Kosovës, Prishtina rikthehet te fitorja

Llapi ka vuajtur, por në fund ka arritur të marrë pikët e plota para tifozëve të vet në përballje me Fushë Kosovën. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë u mbyll me shifrat 1:0. Kjo fitore ia mundësoi Llapit ta barazojë kuotën e pikëve me Dritën (58) dhe tani ngec vetëm dy pikë me liderin, Ballkanin.

Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina ishte këmbëngulëse për të shënuar që nga fillimi i ndeshjee, por rrugën e golit e gjeti vetëm në minutën 90+1′, kur Ilir Krasniqi realizoi me gjuajtje me kokë. Paraprakisht Llapi pati mundësi të shënojë nga pika e bardhë, por Muhamet Hyseni nuk ishte i saktë.

Ndërkohë, Prishtina, pas tri barazimeve rresht dhe disfatës në xhiron e kaluar, është kthyer te fitorja dhe atë si mysafire. Bardhekaltrit e kryeqytetit e mposhtën Malishevën në stadiumin “Liman Gegaj”, me rezultat 1:0.

Golin e vetëm në këtë ballafaqim e shënoi Hasan Hyseni në minutën e 67-të, pas pasimit që mori nga Ardian Muja.

Malisheva nga minuta e 71-të luajti pa sulmuesin Rilind Haziraj, që u përjashtua pasi u ndëshkua me karton të kuq.

Prishtina pas 30 ndeshjeve zë vendin e pestë me 43 pikë, kurse Malisheva mbetet në vendin e katërt me 52 pikë.