Lista Serbe bojkoton Kuvendin, por jo pagat – i kushtojnë buxhetit mbi 200 mijë euro çdo vit
Pas gjashtë muajsh, dhjetë deputetët serbë shfaqen për disa minuta në seancën e Kuvendit të Kosovës, që të mos u hiqen mandatet për mospjesëmarrje, dhe më pas ngrihen, largohen dhe zhduken për gjashtë muajt e ardhshëm.
Hera e fundit kur u paraqitën shkurtimisht në Kuvend, ishte më 8 shkurt.
Nga dhjetë ulëset parlamentare, që Kushtetuta e Kosovës ia garanton komunitetit serb, nëntë i takojnë Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.
Deputeti i dhjetë vepron si i pavarur, por është anëtar i grupit parlamentar “Lista Serbe”.
Për këtë “veprim strategjik”, siç e kanë cilësuar më herët bojkotimin e institucioneve të Kosovës, ata marrin çdo muaj pagën e deputetit, në vlerë prej rreth 1.800 eurosh.
Kjo do të thotë se për këta deputetë, nga buxheti i Kosovës ndahen çdo vit rreth 200 mijë euro.