Lirimi i Enver Sekiraqës, Gjykata jep detaje

Lirimi i Enver Sekiraqës, Gjykata jep detaje

Gjykata në Prishtinë ka dhënë detaje në lidhje heqjen e masës së arrestimi shtëpiak për të akuzuarin Enver Sekiraqa, i cili akuzohet për nxitjen në vrasjen e Triumf Rizës.

Sipas vendimit të Gjykatës, Sekiraqa urdhërohet të paraqitet në stacion policor, masë kjo që do të zgjasë një muaj.

“…ka marr Aktvendim dhe të akuzuarit E.S i ndërprehet masa e arrestit shtëpiak me datë 10.02.2024 dhe kundër të njëjtit urdhërohet masa e paraqitjes në stacion policor, e cila masë do të zgjasë në kohëzgjatje prej një muaj”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se i njëjti e ka respektuar masën e arrestit shtëpiak, që nga dita se kur i ishte vendosur kjo masë.

Gjykata ka bërë të ditur se asnjëherë nuk janë njoftuar nga Policia, se Sekiraqa nuk e ka respektuar këtë masë.

“Gjykata duke vepruar sipas detyrës zyrtare, të akuzuarit E.S i ndërprenë masën e arrestit shtëpiak dhe kundër të njëjtit cakton masën e paraqitjes në stacion policor, e cila masë do të zgjasë në kohëzgjatje prej një muaj, ngase që nga data e caktimit të masës së arrestit shtëpiak me datë 15.10.2021 e deri me tash, i njëjti asnjëherë nuk e ka shkelur masën e arrestit shtëpiak. Duke pasur parasysh se i akuzuari gjendet nën masën e arresti shtëpiak për më shumë se dy vite dhe se nuk ka pasur asnjë njoftim nga Policia e Kosovës se i njëjti në çfarëdo mënyre nuk e ka respektuar këtë masë, gjykata konsideron se edhe masa e paraqitjes në stacion policor, krijon kushte që procedura penale në këtë çështje të zhvillohet pa vështirësi”, thuhet në njoftim.