Liria befason Fushë Kosovën, Feronikeli 74 arrin fitore të rëndësishme
Skuadra e Lirisë, e cila tashmë ka shuar shpresat për mbijetesë në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, ka befasuar Fushë Kosovën, në kuadër të xhiros së 31-të.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, u mbyll me rezultat 2:0, në favor të prizrenasve. Kjo humbje i vështirëson edhe më shumë Fushë Kosovës luftën për t’iu shmangur rënies nga elita, kur kanë mbetur edhe pesë javë deri në përfundim të kampionatit. Golat për Lirinë i shënuan Aldi Gjumsi, në minutën e tretë dhe Ubong Ekpai, në minutën e 30-të.
Fitore tejet të rëndësishme në luftën për mbijetesë në elitë ka realizuar Feronikeli 74, që në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas e ka mundur Malishevën, me rezultat 2:1. Florent Avdyli në minutën e 61-të shënoi për epërsinë e vendësve. Rezultatin e barazoi Drilon Hazrollaj nga penalltia, por dhjetë minuta para përfundimit të ndeshjes fitoren për vendasit e siguroi Ibrahim Cërvadiku.
Pas kësaj fitoreje Feronikeli 74 tani ka 34 pikë në vendin e tetë, aq sa ka edhe Gjilani në vendin e shtatë, por me një ndeshje më pak.