
Limaj rizgjidhet kryetari i Nismës Socialdemokrate
Me pjesëmarrjen e rreth 400 delegatëve nga të gjitha degët e Kosovës, NISMA Socialdemokrate mbajti sot Kuvendin e saj të III-të Zgjedhor, duke finalizuar me sukses procesin zgjedhor të brendshëm.
Me shumicë votash, Kuvendi rizgjodhi Fatmir Limaj si kryetar të NISMA Socialdemokrate, duke i dhënë besimin për një mandat të ri drejtimi dhe përfaqësimi të forcës sonë politike.
Kryetari Limaj, pas rizgjedhjes, prezantoi para Kuvendit edhe listën e 101 kandidatëve për anëtarë të Këshillit Kombëtar, të cilët u votuan dhe miratuan nga delegatët.
Në përmbyllje të punimeve të Kuvendit, u miratua edhe Deklarata Politike e NISMA Socialdemokrate, e cila përfaqëson drejtimin strategjik dhe angazhimin tonë për fazën e re politike që na pret përpara.
Menjëherë pas përfundimit të Kuvendit Zgjedhor, mblodhi punimet Këshilli Kombëtar i sapozgjedhur, i cili zgjodhi Kryesinë e re të NISMA Socialdemokrate, duke përmbyllur kështu procesin zgjedhor të brendshëm dhe duke hapur kapitullin e ri të organizimit dhe mobilizimit politik.
Deklarata politike të NISMA SOCIALDEMOKRATE:
DEKLARATË POLITIKE
Kuvendi i III-të Zgjedhor i NISMA SOCIALDEMOKRATE
Prishtinë, 25 Maj 2025
NISMA SOCIALDEMOKRATE riafirmon përkushtimin e saj të palëkundur për ndërtimin e një Republike të qëndrueshme, me institucione funksionale, të pavarura dhe në shërbim të qytetarëve. Demokracia për ne është themel i jetës politike dhe institucionale, ndërsa Republika e Kosovës është realiteti i përbashkët që na bashkon në vizion, përgjegjësi dhe vepra konkrete.
Ne angazhohemi për një model qeverisës që garanton stabilitet politik, sundim të ligjit, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e vendit. Institucionet duhet të funksionojnë me transparencë, efikasitet dhe drejtësi, duke reflektuar besimin e qytetarëve dhe duke qenë garantues të barazisë dhe të drejtave.
Kosova duhet të ecë me hapa të sigurt drejt integrimit euroatlantik, si orientim strategjik i pakthyeshëm. Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian është themel i politikës sonë të jashtme. NISMA do të kontribuojë me seriozitet në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare, në bashkërendim me spektrin politik vendor dhe me mbështetje të pakushtëzuar për aleancat ndërkombëtare të vendit.
Zhvillimi ekonomik i Kosovës kërkon politika të qëndrueshme dhe të balancuara, me mbështetje për prodhimin vendor, rritje të investimeve strategjike dhe krijim të vendeve të reja të punës. NISMA angazhohet për një ekonomi të hapur dhe konkurruese, që garanton siguri juridike për qytetarët dhe bizneset, dhe që fuqizon sektorët kyç të zhvillimit.
Sovraniteti territorial dhe subjektiviteti ndërkombëtar i Republikës së Kosovës janë vlera të pacenueshme. Çdo veprim politik dhe institucional duhet të jetë në funksion të mbrojtjes dhe forcimit të shtetësisë sonë. Në këtë frymë, Kosova ka nevojë për lidership të qartë, te dinjetetshem, lidership bashkepunues që perqafon dhe perfaqeson vlerat perendimore.
Demokracia për ne nuk është vetëm një proces zgjedhor, por një angazhim i përditshëm përpjesëmarrje, përfaqësim dhe përgjegjësi. Ne do të vazhdojmë të punojmë për forcimin e kulturës demokratike, për rritjen e përfshirjes qytetare dhe për kultivimin e dialogut si mjet për të ndërtuar konsensus dhe zgjidhje afatgjata.
Kosova ka dëshmuar vazhdimisht përkushtimine saj për paqe dhe fqinjësi të mirë. Ne besojmë se siguria rajonale, stabiliteti dhe pozita ndërkombëtare e Kosovës forcohen përmes një politike të jashtme aktive, konstruktive dhe të orientuar drejt bashkëpunimit.
Në këtë periudhë kyçe për të ardhmen e vendit, është i domosdoshëm funksionalizimi i plotë i institucioneve demokratike. Nevojitet angazhim i përbashkët për të garantuar stabilitet ininstitucional, për të avancuar reformat dhe për të forcuar besimin qytetar në shtet dhe drejtësi.
NISMA SOCIALDEMOKRATE do të vazhdojë të promovojë bashkëpunimin ndërinstitucional, dialogun politik dhe unitetin rreth çështjeve me interes të përbashkët shtetëror dhe shoqëror. Ne qëndrojmë në shërbim të vlerave të lirisë, të trashëgimisë së luftës qlirimtare dhe të sakrificës mbi të cilën është ndërtuar ky shtet.
Për ne, e kaluara është detyrim për të vepruar me përgjegjësi në të tashmen dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për çdo qytetar të Republikës së Kosovës.
Me këtë Kuvend Zgjedhor, NISMA SOCIALDEMOKRATE forcon unitetin, rikonfirmon vizionin dhe përcjell vendosmërinë për të qenë zë i qytetarëve, forcë e besueshme e reformës dhe garantues i një shteti që i shërben popullit të vet.