
Ligji amerikan garanton kufijtë e Kosovës, njohjen reciproke dhe zgjerimin e NATO-s
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka nënshkruar Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (National Defense Authorization Act), i cili autorizon më shumë se 901 miliardë dollarë për programet e mbrojtjes dhe përfshinë edhe Kosovën.
Ky ligj pasqyron rëndësinë që Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi i Shteteve të Bashkuara i kushtojnë sigurisë së Kosovës dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.
Akti i Autorizmit të Mbrojtjes Kombëtare përmban disa mesazhe si paqja, stabiliteti dhe se e ardhmja demokratike e Kosovës janë interes strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare: Mbështet zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, përfshirë perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Mbështet qartë marrëveshjen për normalizimin Kosovë-Serbi dhe bën thirrje për zbatimin e saj real. Konfirmon se objektivi përfundimtar është njohja e ndërsjellë. Refuzon çdo ide për ndarje, shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike. Forcon mbështetjen e ShBA-së për demokracitë e Ballkanit Perëndimor dhe procesin e tyre të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, raporton Albaninpost.
Në një nga pikat e rëndësishme të dokumentit është qëndrimi zyrtar i Kongresit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi.
Aty Marrëveshja e 2023-tës për normalizimin e marrëdhënieve konsiderohet hap pozitiv, ndërsa kërkohet përparim i menjëhershëm në Aneksin e zbatimit. Riafirmon se zgjidhja përfundimtare duhet të bazohet në njohje reciproke dhe kundërshton qartë çdo ide për ndarje territoriale, shkëmbime apo rishikim kufijsh mbi baza etnike.
Mbështet gjithashtu zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancë, si dhe anëtarësimin në BE.
Në Ligj parashikohet mbështetje e vazhdueshme për reformat demokratike dhe sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, zhvillimin ekonomik, rritjen e investimeve dhe forcimin e institucioneve. Kosova po ashtu përfshihet në kuadrin rajonal të masave për monitorimin dhe kundërshtimin e ndikimit malinj rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor. Ligji mbështet rritjen e ndihmës amerikane për sigurinë kibernetike, nga e cila përfiton edhe Kosova.
Legjislacioni gjithëpërfshirës përcakton gjithçka, nga sa anije, avionë dhe sisteme raketash blihen nga ShBA-ja, te një rritje pagash për trupat, e deri te mënyra e adresimit të kërcënimeve gjeopolitike.
Ai është një kompromis, që kombinon masa të veçanta të miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati, të dyja nën kontrollin e republikanëve.
Ligji përfshin po ashtu disa dispozita për të rritur sigurinë në Evropë.
Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, ambasadori Blerim Reka, ka shkruar në “Facebook” për hyrjen në fuqi të Ligjit të ShBA-së për autorizimin e mbrojtjes kombëtare, ku përfshihet edhe Kosova.
Reka ka theksuar se si ligj federal, i dekretuar nga presidenti Trump, ai përligj së paku tri garanci të rëndësishme për Kosovën dhe Ballkanin: nuk ka ndryshim kufijsh në rajon; marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë do të përmbyllet me njohje reciproke; dhe zgjerimi i NATO-s në Ballkan do të vazhdojë, përfshirë edhe mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në aleancën veri-atlantike.
“Ligji rikomfirmon kontinuitetin e politikës amerikane për Kosovën, në katër dekadat e fundit, nga dokumenti i parë i Stejt Departamentit i vitit 1986: ‘Kosovo Republic Project’, të cilin e sjell në librin e tij Fron Nahzi (‘Ethnic Interest Groups and US Foreign Policy’), që del nga shtypi këto ditë. Republika e Kosovës nuk mund të bëhej pa SHBA, e as të funksionoj pa Amerikën. Ndërkaq Kosova mbetet shteti më pro-amerikan”, ka shkruar ambasadori Reka.
