
Liderët evropianë të palëkundur pas paralajmërimeve të Trumpit lidhur me Grenlandën
Udhëheqësit evropianë po përpiqen ta paraqesin një front të bashkuar në Davos të Zvicrës, pas kërcënimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e tarifave ndaj vendeve evropiane që e kundërshtojnë përvetësimin e Grenlandës nga Shtetet e Bashkuara.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se Bashkimi Evropian nuk duhet t’i nënshtrohet “ligjit të të fortit”, duke shtuar se është “çmenduri” që blloku po detyrohet ta shqyrtojë përdorimin e “instrumentit të tij kundër shtrëngimit” ndaj Shteteve të Bashkuara, raporton REL.
“Ne besojmë se kemi nevojë për më shumë rritje, kemi nevojë për më shumë stabilitet në këtë botë, por ne e parapëlqejmë respektin para bullizmit”, tha Macron në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror, një ditë para mbërritjes së Trumpit në Zvicër.
Pa iu referuar drejtpërdrejt Trumpit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi nevojën për t’iu përgjigjur ndryshimeve sizmike në botë dhe tha se shpejtësia dhe shkalla e ndryshimeve kanë krijuar një konsensus në Evropë për pavarësi.
“Është koha ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ta ndërtojmë një Evropë të re, të pavarur”, tha ajo në një fjalim.
Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, tha se blloku me 27 anëtarë ndodhet “në udhëkryq”, sepse i duhet të vendosë se si të dalë nga një “pozitë shumë e keqe” pas përpjekjeve për ta kënaqur Trumpin për të siguruar mbështetjen e tij për luftën në Ukrainë.
“Pra, ne duhet të bashkohemi dhe t’i themi Donald Trumpit … ‘Po i kalon vijat e kuqe këtu’. Ose qëndrojmë bashkë, ose do të qëndrojmë të përçarë”, tha De Wever gjatë një diskutimi.
Lajmi i plotë👇
https://www.evropaelire.org/a/lideret-evropian-front-bashkuar-trump-grenlanda/33655027.html
