Learta Muharremi, teniserja më e mirë e vitit: Synoj majat e tenisit botëror (VIDEO)
Learta Muharremi, nga Klubi i Tenisit “Trepça”, është shpallur teniserja më e mirë e Kosovës për vitin 2024 në kategoritë U14, U16, U18 dhe Adult.
Në një intervistë në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, ajo ka ndarë dashurinë e saj për këtë sport, sfidat e tenisit në Kosovë dhe synimet e saj për të arritur nivelet më të larta ndërkombëtare.
Pavarësisht vështirësive, veçanërisht mungesës së fushave të mbuluara gjatë dimrit në Mitrovicë, Learta vazhdon të shfaqë përkushtimin e saj të palëkundur ndaj tenisit.
“Kushtet nuk janë të mira, sidomos dimrit, sepse fusha nuk është e mbuluar, dhe kjo ndikon në humbjen e sezonit ose në stërvitje më të dobët”, tha ajo, transmeton Klankosova.tv.
Megjithatë, mbështetja nga trajneri dhe përkushtimi personal i kanë dhënë asaj motivim për të arritur suksese.
“Ndjehem krenare kur valëvitet flamuri i Kosovës dhe kur përfaqësoj vendin tim në garat kombëtare dhe jashtë saj”, tha Learta.
Synimi i saj është i qartë: të bëhet një nga lojtarët më të mirë në botë dhe të luajë në turnetë më të mëdhenj ndërkombëtarë.
“Jam e përkushtuar të punoj fort për të realizuar ëndrrën time”, shtoi ajo./Klankosova.tv.