
LDK refuzon ftesën e Kurtit për takim më 1 maj
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar në takim kryetarët e dy partive opozitare, Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe Memli Krasniqin e PDK-së.
Takimi është planifikuar të mbahet nesër, më 1 maj, në orën 08:30 në sallën N-204 të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në letrën drejtuar Abdixhikut, Kurti ka theksuar rëndësinë e përfaqësimit të tri partive më të mëdha në pozitat e nënkryetarëve të Kuvendit, duke kërkuar një takim të përbashkët për këtë çështje.
“Duke u bazuar në Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët edhe me z. Memli Krasniqi, kryetarin e PDK-së, në sallën N-204 te Kuvendit të Republikës se Kosovës, nesër (e enjte), 1 maj 2025, në orën 8:30. Me shpresë në përgjigje pozitive, ju përshëndes”, ka shkruar Kurti.
Por Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar ftesën.
Këtë për Klankosova.tv e bëri të ditur Besian Mustafa, zëdhënës për media në LDK.
Ai është shprehur se ftesën tashmë e kanë pranuar dhe se kryetari i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku, për momentin nuk është në Kosovë.
“Ka ftesë. Nuk marrim pjesë në takim, njëkohësisht kryetari Abdixhiku nuk është në Kosovë”, ka thënë Mustafa.
I njëjti ka thënë se sa i përket çështjes së nënkryetarëve të Kuvendit, kjo është e caktuar me ligj, si vend që u takon partive politike.
“Për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit, të përcaktuar si vende përfaqësimi të partive, nuk është çështje diskutimi sepse janë pozita të përfaqësimit partiak”, u shpreh Mustafa.
Kurse, për çështjen e Kryetarit të Kuvendit, Mustafa tha se është çështje politike dhe kërkon shumicë politike. “Per këtë çështje veçse kemi dhënë qëndrim”, theksoi Mustafa.