LDK-ja s’i shkon Kurtit në takim: Keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit

LDK-ja s’i shkon Kurtit në takim: Keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ia ka kthyer letrën kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili ka kërkuar takim me krerët e partive opozitare në lidhje me agjendën legjislative të kuvendit.

Abdixhiku në letrën për Kurtin ka thënë se e konsideron si të vonuar iniciativën, që pas tre vitesh e gjysmë në pushtet të tentojë të gjejë klimë bashkëpunimi, kur sipas tij, vetë Kurti ka shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit.

“Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonua tani që , pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon përherë të jetë mbështetëse për interesit madhore të Republikë, ndonëse nuk i jeni përgjigjur asnjëherë kësaj gatishmërie më bashkëpunim reciprok”, thuhet në letrën e Abdixhikut.

Tutje, Abdixhiku tha se për sa i përket agjendës legjislative të kuvendit, partia e tij konsideron se e njëjta diskutohet në kryesinë e kuvendit.

“Ndërsa, për votimet e marrëveshje ndërkombëtare LDK-ja i konsideron ato mbi politikat ditore, prandaj do të vazhdojë t’i votojë, siç dhe ka vepruar deri më tani”, thuhet në letër.