LDK-ja dorëzon në ZRrE kërkesën për anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike

LDK-ja dorëzon në ZRrE kërkesën për anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike

Të hënën zyrtarisht është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE) kërkesa e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deputetëve tjerë mbështetës për anulimin ose shtyrjen e vendimit të ZRrE-së për largimin e rreth 1300 bizneseve nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike.

Me të njëjtën shkresë është kërkuar edhe anulimi i vendimit për rritjen e çmimit të energjisë për ekonomitë familjare.

Kërkesa e deputetëve të LDK-së dhe deputetëve tjerë nënshkrues të kërkesës janë: 1. Anulimi ose shtyrja e vendimit për së paku një vit, për t’i dhënë kohë tregut të liberalizohet realisht dhe bizneseve të përgatiten. 2. Zbatimi i konsultimeve të hapura dhe publike, në përputhje me ligjin, për çdo vendim me ndikim të madh, përfshirë tarifat e energjisë. 3. Dorëzimi i analizës së plotë në Kuvend, menjëherë pas konstituimit të tij, së bashku me vendimin për liberalizim të tregut. 4. Anulimi i vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për ekonomitë familjare, me zotimin për të gjetur alternativa që nuk rëndojnë qytetarët.

Deputetët theksojnë se në mungesë të një tregu funksional dhe konkurrues, çdo veprim i tillë për të larguar me forcë bizneset nga tregu i rregulluar do të ketë pasoja të rënda për ekonominë dhe do të përbëjë shkelje të interesit publik.

Kjo kërkesë është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe të bizneseve në këtë kohë të ndjeshme
Iniciativa e Lidhjes Demokratike të Kosovës është nënshkruar nga 30 deputetë dhe është dorëzuar në ZRrE nga nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami dhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Visar Azemi.

Ky është vetëm një hap për të mbrojtur interesin e qytetarëve përballë një vendimi që do të ketë pasoja në vështirësimin e jetës së secilit qytetar e biznes në Kosovë.

Do të ketë edhe veprime tjera sapo të themelohen institucionet e dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit që janë bllokuar nga Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë.