LDK-ja do të shqyrtojë vetëm aleanca paszgjedhore, thotë Alush Gashi
Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë se kjo forcë politike ka bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, si në nivel qendror ashtu dhe lokal, dhe se shpreson të dalë forcë fituese, sikurse tha ai.
Gashi foli mbi strategjinë në këtë funksion të kësaj force politike e cila, në zgjedhjet e shkuara, pësoi humbje të madhe, duke u renditur forcë e tretë politike në vend.
Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, Gashi flet dhe mbi çështjen e rihapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, çështje që ka nxitur tensione mes qeverisë në Kosovë me partnerët e saj ndërkombëtarë.
“Lidhja Demokratike është shumë aktive në debatin e saj të brendshëm në të gjitha nivelet dhe ekziston një pajtueshmëri e plotë se Lidhja Demokratike duhet të punojë intensivisht që të dalë partia e parë politike, që vendit t’ia jap një qeverisje të mirë. Duke ditur se ne jemi në një sistem parlamentar ku një parti e vetme është vështirë që të krijojë qeverinë, të gjitha organizimet, aranzhimet, do të bëhen pas shpalljes së rezultateve zgjedhore”, ka thënë Gashi.