LDK: E mirëpresim vendimin e PZAP-it, LVV po manipulon me procesin zgjedhor

LDK: E mirëpresim vendimin e PZAP-it, LVV po manipulon me procesin zgjedhor

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se e mirëpret vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili ka refuzuar ankesën Lëvizjes Vetëvendosje kundër KQZ-së për shpalljen e rezultateve përfundimtare, ku ka kërkuar që të anulohen rezultatet e votimit me postë për LDK-në dhe kandidatët e saj.

Në një postim në Facebook, LDK-ja deklaron se vendimi PZAP-it konfirmon se përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të manipuluar dhe delegjitimuar procesin zgjedhor ishin të pabazuara dhe shpërfaqin mosgatishmërinë e tyre për të pranuar vullnetin e mërgatës.

“Ky akt e dëshmon qartë se pretendimet e tyre ishin thjesht një përpjekje për të mbrojtur organizimin e vetëm partiak të manipulimit të votës së mërgatës të dokumentuar me video”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër fushatën e organizuar të shpifjeve dhe dezinformatave të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka për qëllim të komprometojë procesin zgjedhor dhe të delegjitimojë rezultatet që nuk i përshtaten interesave të saj”, thuhet në reaim.

Ndër tjera LDK thekson se do të ndjekë rrugët ligjore ndaj atyre që sipas këtij subjekti përhapin dezinformata.

“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të tolerojë që Vetëvendosje të vazhdojë të përdorë shpifjet dhe manipulimet për të përmbysur vullnetin e qytetarëve dhe për të krijuar një realitet të rremë zgjedhor. Të gjithë ata që përhapin dezinformata me qëllim të cenimit të integritetit të zgjedhjeve dhe të institucioneve të pavarura do të mbajnë përgjegjësi ligjore. LDK do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të paditur për shpifje të gjithë ata që përpiqen të ndikojnë në mënyrë të paligjshme dhe antidemokratike në rezultatet zgjedhore”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbrojë integritetin e zgjedhjeve dhe vullnetin e secilit votues, brenda e jashtë Kosovës. Përpjekjet e Vetëvendosjes për të uzurpuar procesin zgjedhor me manipulime, shpifje dhe dezifnormata do të sfidohen me vendosmëri. Demokracia nuk mund të jetë peng i një partie që nuk e pranon vullnetin e lirë të qytetarëve”, pohon LDK.

Mbi të gjitha, LDK falënderon mërgatën për besimin dhe përkrahjen që u dhanë.